Ekonomia

Treg pan-shqiptar, Shqipëri- Kosovë

20140624183739.jpg
Shekulli

Ministri shqiptar i Bujqësisë, Edmond Panariti gjatë një vizite në Prishtinë, tha se heqja e barrierave tregtare, njësimi i standardeve dhe procedurave është bashkimi i vërtetë mes Kosovës dhe Shqipërisë. 

Ai vizitoi Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës, ku theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një treg të përbashkët, një treg pan-shqiptar, i cili kapërcen kufijtë dhe bënë të mundur që mallrat dhe shërbimet në dy anët e kufirit të lëvizin lirisht dhe pa pengesa. 

“Jemi këtu si përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të dy shteteve tona për të bërë të mundur që me pozicionimin tonë me nismat tona, me ndryshimet ligjore, me standardet e reja, të bëjmë të mundur që të krijojmë një platformë të përbashkët të njësuar të qëndrimeve tona në raport me produktet ushqimore. Duke bërë të mundur që bizneset në dy anët e kufirit të lëvizin lirshëm dhe çdo gjë më pas të rregullohet nga kërkesa dhe oferta”, deklaroi Panariti. 

Ndërsa, Valdet Gjinovci, drejtor ekzekutiv i AVUK-së, tha se në takim me ministrin Panariti kanë rënë dakord që Kosova dhe Shqipëria të kenë unifikim të procedurave dhe njohje të certifikatave që lëshohen nga dy autoritetet, ato të Kosovës dhe Shqipërisë, e të cilat garantojnë sigurinë e ushqimit. 

“Ajo për të cilën kemi biseduar dhe rënë dakord është një e mirë e dyanshme, është një e mirë për të dy palët. Në këtë rast edhe ata që përfitojnë janë operatorët dhe komuniteti i biznesit, si ata nga Kosova, edhe ata nga Shqipëria. Në këtë drejtim jemi pajtuar që të kemi dhe unifikim të procedurave dhe njohje të certifikatave që lëshohen nga dy autoritetet përkatëse dhe që garantojnë sigurinë e ushqimit”, tha Gjinovci. 

Kosova dhe Shqipëria duhet të intensifikojë dhe më tej bashkëpunimin në mënyrë që të mos përsëriten situata, si në të kaluarën, theksoi me tej Panariti. Ai rikujtoj barrierat gjatë eksportit të disa produkteve në Shqipëri. 

E.L./

Rreth autorit

Shekulli

Shekulli

Shekulli, portali i pavarur për informim të besueshëm. Kudo që ju ndodheni!

Komentoni