Ekonomia

Vrugu dëmton hardhinë e rrushit

vrugu-d-euml-mton-hardhin-euml-e-rrushit_hd.jpg
Telegrafi

Reshjet e mëdha të shiut, të cilat sivjet kanë rënë në vend, kanë ndikuar që lagështia të jetë e theksuar anë e mbanë vendit. E kjo lagështi ka edhe ndikime negative për vreshtat, edhe pse ato në fillim të vitit kishin qenë të zhvilluara mjaft mirë. Por, lagështia ka bërë që në hardhinë e rrushit të shfaqet sëmundja e vrugut, e cila po i dëmton vreshtat.

Sipas njohësve të kësaj fushë, vrugu është njëra ndër sëmundjet më të përhapura dhe shumë e rrezikshme për hardhinë e rrushit, e cila paraqitet kryesisht në fazën e rritjes intensive, në fazën me delikate që është faza e lulëzimit deri tek mbyllja e kalaveshit.

Labinot Shulina, ekspert i mbrojtjes së bimëve, thotë se kjo sëmundje shfaqet për shkak të lagështisë. Ai shpjegon se vrugu shkakton dëme të mëdha ekonomike nëse nuk menaxhohet mirë, pasi që sulmon çdo pjesë të gjelbër të hardhisë duke filluar nga gjethet dhe vazhduar në lulëri. “Në Kosovë për muajin qershor kemi reshje dhe temperatura të mjaftueshme për zhvillimin e vrugut dhe sëmundja është paraqitur në shumë zona, kryesisht të ulëta ku mikroklima është shumë favorshme për zhvillimin e vrugut”, tha Shulina.

Sipas tij, vreshtarët duhet të bashkëpunojnë me specialistet e mbrojtjes së bimëve dhe të marrin rekomandimet e tyre se me cilat preparate duhet trajtuar në këto kushte të motit. “Ne u rekomandojmë që trajtimet të bëhen sa ma parë që është e mundur me këto lloje të fungicideve: Ridomil Gold Combi 45 WG 2 kg/ha,ose Ridomil Gold 68 MZ-WG 2.5-3 kg/ha ose Ridomil Plus 42.5 WP 4 kg/ha, dhe shumë preparate të tjera nga kompanitë e njohura si BAYER, DOWAGROSIENC,BAESF, etj”, thotë ekspertit i mbrojtjes së bimëve”, thotë ai.

E vreshtari Jahja Behluli nga Rahoveci, thotë se edhe në vreshtat e tij ka disa dëmtime nga bastra dhe faktorët e tjerë si pasojë e lagështisë. “Kam me vreshta një sipërfaqe prej rreth dy hektarësh por këtë vit për shkak të shiut, i cili ka ra tash hardhinë rrushit po e dëmton bastra e nuk po kemi mundësi të hyjmë në vreshta për ta trajtuar si pasojë e lagështisë”, thotë ky fermer. Ai tregon se kanë marrë disa preparate adekuate nëpër barnatore bujqësore për të ndaluar dëmtimin e hardhisë.

Ndërkaq, në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kanë thënë se skemat e reja të subvencionimit për vreshtarët, tashmë kanë filluar të realizohen. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, është bërë ekzekutimi i këstit të parë të pagesave direkte në vlerë prej 942,285 euro për subvencionimin e 1,884.57 hektarëve me vreshta, ku përfitues janë 2328 vreshtarë të rajoneve të ndryshme të vendit. Ndërkaq, kësti i dytë, sipas tyre pritet të bëhet gjatë tremujorit të ardhshëm. Vlera totale e pagesave direkte për vreshtarë në vitin 2014 arrin në rreth 1.3 milion euro.

Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës, vlerësohet se janë 4965 vreshtarë, të cilët e kultivojnë rrushin në një sipërfaqe prej 3217.45 hektarë, ku varietetet për prodhimin e verës kultivohen në një sipërfaqe prej 2538 hektarë, rrushi i tryezës në një sipërfaqe prej 677 hektarë dhe rrushi për tharje në një sipërfaqe prej 2.45 hektarë. /FermaIme

Rreth autorit

Telegrafi

Telegrafi

Telegrafi.com është portal i pavarur në gjuhën shqipe, me seli në Prishtinë, i themeluar në fund të vitit 2006. Me një laramani temash të ndryshme nga të gjitha sferat e jetës dhe dizajn atraktiv, portali shumë shpejtë ka depërtuar në zemrat e shfrytëzuesve shqiptarë të internetit.

Komentoni