Infrastruktura e cilësisë, bazë për zhvillimin e sektorit privat

0
56

Infrastruktura e cilësisë, është bazë për zhvillimin e sektorit privat. Cilësia dhe siguria e produkteve, që prodhohen në mbarë Kosovës, duhet të jetë objektiv dhe qëllim, i qeverisë qendrore po ashtu dhe asaj lokale.

Kështu u tha në një takim informativ lidhur me vetëdijesimin mbi rolin e Infrastrukturës së cilësisë në zhvillimin ekonomik me temë “Roli dhe funksioni i Infrastrukturës së cilësisë në Republikën e Kosovës”, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Besim Zeqiri, përfaqësuesi i MTI-së tha se kjo ministri i ka dhënë rëndësi rregullimit të infrastrukturës ligjore, duke pasur parasysh se infrastruktura e cilësisë është bazë e domosdoshme dhe për zhvillimin e teknologjisë, prodhimit, shërbimeve dhe tregtisë. “Cilësia dhe siguria e produkteve që prodhohen anë e mbanë Kosovës, janë objektiv i Qeverisë së republikës së Kosovës. Zhvillimi dhe përsosja e infrastrukturës së cilësisë në Kosovë do të luaj rol kyç në ngritjen e konkurrueshmërisë të produkteve dhe shërbimeve në tregun vendor dhe atë të jashtëm. Eliminimin e barrierave të mundshme tregtare, sigurimin dhe mbrojtjen e mjedisit si dhe mbrojtjen e konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ata po punojnë me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. “Ne jemi duke bashkëpunuar me disa organizata e individë që të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve. Ne qytetarin nuk e konsiderojmë thjeshtë vetëm si një klient. Megjithatë duhet të funksionojmë si të tillë, që çdo qytetari i cili i drejtohet komunës ta ketë përgjigjen e duhur me kohë”, tha Ahmeti.

Ndryshe, në takim po ashtu u tha se ngritja e infrastrukturës së cilësisë, ndikon në zhvillimin e kapaciteteve të bizneseve në vend, në ngritjen e cilësisë së prodhimeve dhe shërbimeve që ata ofrojnë.

Si dhe mundësohet një zhvillim ekonomik, me një potencial të domosdoshëm dhe për eksport.

ASNJË KOMENT

PËRGJIGJUNI