Kosova

Azem Vllasi: Barrikada si Bombë

20140621184519.jpg

Azem Vllasi thotë se vendosja e të ashtuquajturit “Parku i Paqes” mbi Urën e Ibrit mund të jetë një bombë shpërthyese që do të shkaktonte konflikte ndëretnike.

Vendosja e të ashtuquajturit “Parku i paqes” mbi urën e Lumit Ibër, nga serbët e Mitrovicës së Veriut, sipas Azem Vllasit, mund të jetë një bombë shpërthyese që do të shkaktonte konflikte ndëretnike.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur tensionet në pjesën veriore të vendit janë rritur, pas vendosjes së barrikadës së re nga ana e serbëve të atjeshëm me urdhër dhe nën mbikëqyrje të Beogradit.

Barrikada që po mbushte vitin e tretë mbi Urën e Lumit Ibër u largua me ekskavatorë në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë. Por, entuziazmi i qytetarëve për të lëvizur lirshëm u shua në orët e pas ditës, kur dhjetëra serb në praninë e Kryetari të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic dhe Ministrit pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Marko Djruic, vendosën vazo të betonit dhe drunj dekorativ për ta rifunksionalizuar barrikadën.

Azem Vllasi, në një prononcim për Politiko.net, thotë se kjo është një strategji e Serbisë që për qëllim kanë dominimin dhe kontrollin e vendeve të banuara me shumicë serbe.

“Kjo barrikadë në Mitrovicë potencialisht është një bombë e vogël shpërthyese që mund të shkaktojë ekcese dhe konflikte. E përmes këtyre ekceseve eventuale, Serbia edhe më tutje do të tentojë të jetë faktor që duhet të pyetet dhe të përzihet në punët e brendshme të Kosovës”.

“Në vepër po e shohim vazhdimësinë e asaj strategjisë së vjetër të Serbisë që nuk duan as pushtet të përbashkët, as qeverisje të përbashkët, as territor të përbashkët me të tjerët, por të ketë kontroll mbi territorin dhe të qeverisin aty ku ata dominojnë”.

“Ata që kanë vendosur barrikadën po vazhdojnë ta mbajnë barrikadën në tjetër formë, që në atë mënyrë ta shantazhojnë Kosovën në dialogun ndërmjet të dy shteteve dhe për të treguar se pushtet real në pjesën veriore ka Beogradi dhe jo Prishtina, pa marrë parasysh që ne i bëjmë qejf veti se me pjesëmarrjen e serbëve dhe zgjedhjet lokale dhe parlamentare serbët e pjesës veriore janë integruar në sistemin e Kosovës”.

“Pushteti i Beogradit me eksponentët e vet, siç është Kryetari i Mitrovicës Veriore, mbesin pranë qëndrimit që barrikada të vazhdojë të qëndrojë. Qëndrimi i Beogradit bashkë me përkrahësit e vetë lokal këtu mbetet pranë asaj që Mitrovica të mbetet edhe fizikisht e ndarë”.

Vllasi thotë se reagimi i institucioneve vendore ka qenë sikur kjo çështje të mos kishte të bënte me shtetin tonë.

“Reagimi i institucioneve vendore është sikur të ishte në pyetje një problem që nuk ka të bëjë me shtetin tonë”, thotë Azem Vllasi për Politiko.net.

Rreth autorit

Lajm Press

Lajm Press

Gazeta Lajm, Maqedoni

Komentoni