Shëndeti

Operacionet në zemër, pacientët e komunave transferohen në “Senatorium”

poeracion-300x200.jpg

Ndërhyrjet kirurgjikale në zemër për herë të parë do të bëhen edhe në Spitalin e Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, pranë të cilit është inauguruar gjatë ditës së djeshme çelja e 4 sallave të kirurgjisë. Duke parë fluksin e lartë të pacientëve që paraqiten në QSUT, jo vetëm të Tiranës, por në masë edhe të rretheve është vendosur që zonat periferike të Tiranës të marrin shërbimet kirurgjikale në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në Sauk, që njihet ndryshe si “Senatoriumi”. Me hapjen e këtyre sallave ky spital do shndërrohet gradualisht në spital rajonal vetëm për pacientët e kryeqytetit. Shpërndarja e ndërhyrjeve  kirurgjikale edhe në këtë spital do të shpëtojë pacientët nga lista e gjatë e pritjeve që bëhet në QSUT, si rrjedhojë e mbingarkesës së madhe. Sipas të dhënave të detajuara nga autoritetet shëndetësore rezulton se në QSUT brenda një viti realizohen mbi 18.350 ndërhyrje kirurgjikale, shifër kjo shumë e lartë krahasuar me kapacitetet përballuese. Ndërkohë që me planifikimin e ri mbi 2 mijë operacione në zemër do të kryhen në spitalin Rajonal te Tiranës.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci konfirmuan gjatë ditës së djeshme zgjerimin e shërbimeve në Spitalin e Mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Tashmë, ky spital do të ofrojë për herë të parë edhe shërbimin e Kardiologjisë Invazive (disa ndërhyrje në zemër) në mënyrë që të zgjerohen kapacitetet publike për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për popullatën në nevojë.

Mjekët e familjes të zonave të përcaktuara, do ti orientojnë pacientët e tyre drejt këtij spitali për rastet kur shfaqet e domosdoshme kryerja e ndërhyrjeve kirurgjikale, e jo më duke i dërguar në QSUT. “Është përcaktuar që në sistemin e referimit, nga mjeku i familjes, në klinikën e specialiteteve dhe pastaj në shërbimin e kirurgjisë, këtu të mund të referojmë banorët të komunave të Farkës, Baldushkut, Bërzhitës, Petrelës, dhe të “Qytetit Studenti”. Bëhet fjalë për një popullsi për 100 mijë banorë”, deklaroi ministri Ilir Beqja. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të financojë shërbimin e ri të kardiologjisë invazive (hemodinamika) edhe në këtë spital.

Kreu i këtij institucioni Astrit Beci tha dje se Fondi do të mbulojë financiarisht si personelin shtesë për këtë shërbim të ri, ashtu edhe nëpërmjet kontratës që ka me këtë spital, do të financojë, si financues i vetëm publik, edhe ndërhyrjet e shërbimit të kirurgjisë invazive. “Shërbimi i kardiologjisë, si një prioritet i programit të qeverisë për shëndetësinë, ka pasur dyfishim të financimit këtë vit. Me një vlerë shtesë prej 1 milion dollarë, është mbuluar shërbimi spitalor për kardio-kirurgjinë, jo vetëm me barna e preparate mjekësore në QSUT, por edhe janë rritur kapacitetet për ofrimin e këtij shërbimi, sikurse është rasti i mundësisë për dhënien e shërbimit të kardiologjisë invazive edhe në spitalin e mushkërive në Tiran딝, ka sqaruar Beci.

Përveç Kirurgjisë së Përgjithshme në këtë spital pritet të futen edhe shërbime të tjera që trajtojnë sëmundje të ndryshme, krahas atyre të mushkërive, për të cilën është specifik ky spital. Konkretisht bëhet fjalë për shërbimin e angiografisë që do të nisë të funksionojë në këtë spital brenda pak javësh. Çelja e këtyre sallave do të çojë edhe në uljen e numrit të pacientëve që dynden në dyert e QSUT-së nga Tirana dhe rrethet. Sanatoriumi arrin të përballojë rreth 30 ndërhyrje kirurgjikale në javë dhe aktualisht në të janë të punësuar 7 kirurgë. “Ky është hapi i parë drejt krijimit të spitalit rajonal në kryeqytet, i cili do tu shërbejë vetëm banorëve të Tiranës.

Lidhur me nevojat e tjera të spitalit, ministri i Shëndetësisë u shpreh se : “Spitali ka filluar procedurat e punësimit të mjekëve për të filluar besoj  shumë shpejt, edhe shërbime të tjera. Ky është vetëm hapi i parë me shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme. Siç e thashë, ne po përfundojmë procedurat e kontraktimit të pajisjeve për reanimacionin e shërbimit të kardiologjisë dhe angiografia, sicc jemi shprehur dhe më parë, do të fillojë të ofrohet brenda pak javësh edhe në këtë spital. Kanë filluar procedurat e punësimit të mjekëve dhe infermierëve për këtë shërbim”, ka përfunduar ministri Beqaj.

Rreth autorit

Gazeta Dita

Gazeta Dita

Gazeta Dita, e përditshme info-analitike.

Komentoni